Mimoza Kusari-Lila Është emëruar zëvendëskryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë më 23 shkurt të vitit 2011 dhe ka shërbyer në këtë detyrë deri më 2 Tetor, 2013, kur edhe ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në qeverinë e Kosovës për shkak të angazhimit të saj në fushatën elektorale për Kryetare të Komunës së Gjakovës.

Në detyrën e saj si Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, ajo ishte përgjegjëse për koordinimin e reformave thelbësore ekonomike të parashikuara në Objektivat e Vizionit Ekonomik të Qeverisë së Kosovës për vitin 2011-2014, si dhe për adresimin dhe formulimin e politikave përzhvillimin e tregtisë dhe industrisë.Para se të behej zëvendëskryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Kusari – Lila kishte kandiduar për postin për kryetare të Komunës së Gjakovës në zgjedhjet komunale të vitit 2009, zgjedhje këto komunale shumë të kontestuara, rezultati i të cilave çoi procesin deri në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.Një vit pas, në zgjedhjet e jashtëzakonshme e dhjetorit të 2010, znj. Kusari – Lila ishte femra më e votuar politikane në Kosovë.Gjatë vitit 2006-2009, znj. Kusari-Lila ka shërbyer si drejtoreshë ekzekutive në Oden Ekonomike Amerikane në Kosovë (Am Cham).

Gjatë udhëheqjes së saj në krye të AmCham, znj. Kusari zgjeroi bazën e anëtarësisë së organizatës, si dhe drejtoi akreditimin zyrtar të AmCham të Kosovës në OdënEkonomike të Shteteve të Bashkuara në Uashington DC si dhe Këshillit Evropian të Odave Ekonomike Amerikane (ECACC).Znj. Kusari-Lila nga viti 2003-2004 ka shërbyer si zëdhënëse e kryeministrit në qeverinë e parë të pas luftës në Kosovë. Para se t’i bashkohej qeverisë, ajo gjithashtu ka punuar për organizata donatore si për Bankën Botërore dhe USAID-in, si dhe ka punuar si menaxhere e Projektit në Fondacionin për Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK).

Mimoza Kusari-Lila ishte fituese e bursës Ron Brwën nga Departamenti i Shtetit, e cila i mundësoi asaj që të magjistrojë për Administrim biznesi (MBA) në Universitetin e Duquesne në Pittsburg, ku në 2001 u specializua në e-biznes. Gjatë kohës së këtyre studimeve, ajo ishte themeluesja dhe presidentja e parë e Asociacionit të Grave në Biznes në Universitetin Duquesne në Pittsburg.
Ajo ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Ekonomik, ku diplomoi më 1998 në sistemet e menaxhimit dhe informimit. Znj. Kusari – Lila gjithashtu është një anëtare aktive e shoqërisë për çështje të barazisë gjinore dhe është e angazhuar në aktivitete të ndryshme për pjesëmarrje më të madhe të gruas në rolin e vendimmarrjes,në veçanti në angazhimin më të madh të gruas në ekonomi.